Tung : Blog : Top 10 drekat në Prishtinë
 
Top 10 drekat në Prishtinë
Nga Zhapini në Kosovë më 20.11.2010 | Lexo komentet
Etiketat: Shqip, Markë, Kulturë, Ekonomi, Ushqim, Inspiruese, Publike, Sociale, Top 10
 
Me qenë zhapin në Prishtinë nuk është lehtë. Mu ka dashtë koxha kohë deri kanë nisë me m'lanë me hy nëpër restorane. Sot, më konsiderojnë ndër myshteritë ma të mirë edhe zakonisht gëzohen kur shkoj me hangër.

Zhapin Krasniqi | 20 nëntor 2010
 
Nuk më ndodh fort shpesh me dalë në qytet për drekë, sepse ose kam shumë punë, ose është moti i keq, ose është aq i mirë, sa që kur të dalësh nuk të shkohet prapë në zyrë.

Por, në rastet kur dal, kam qef me e hangër nji drekë të mirë, e cila më kënaq, por edhe s'ma sakaton xhepin. Ma poshtë është Top 10 lista e drekave të mia më të preferume në Prishtinë, me nga nji përshkrim të shkurtë, emnën të restorantit edhe çmim - të rendituna prej të mirës deri te MA E MIRA.

10. Lupë me qipsa të shpisë
Papillon
Test text

9. Egg omelette
Metro | Shihe në kahmeshku.com
Si omleti në Metro pak gjana më kënaqin. Ndoshta sepse i pregatit vezët ma ndryshe se këto metodat tradicionale të nanës e gjyshes në fërtere. Të shoqnume me nji shtresë të hollë kaçkavalli përmbi, që është shkri prej së nxehti, me përrshutë të preme hollë edhe pak të pjekun, boll sa me ba "kërrc" kur e kafshon, pak sallatë të përbame prej domateve, kastravecave edhe patlixhani të zi (patëllxhan, në Shqipni) edhe bukë thekne, ky omlet të garanton se krejt energjia e humbun prej nji nate ma heret duke punu (ose tuj pi) ka me tu kthy brenda minutave. Edhepse kategorizohet ma shumë si mëngjes, unë e kisha hangër edhe për darkë.

€3.50


Mos e le pa e pi nji caffè latte mbas buke!

8. Double Decker
Filikaqa | Shihe në kahmeshku.com
Në mes të hamburgerit të rëndomtë edhe monstrumit tre-katësh, burgeri me 2 copa mishi, i pagëzum prej autobusit të famshëm dy-katësh të Londrës, Double Decker, është kombinimi ma i mirë i mishit, simitave edhe hallaçugave tjera që i ka brenda, e që përfshijnë kastraveca turrshi, domate, kaçkavall edhe salcë sekrete, që e ban këtë burger të veçantë. Servohet me pomfrit (patate të skuquna, në Shqipni), një pije freskuese, ekstra keçap/majonezë.

€2.90


Buka në Filikaqë hahet ma së miri duke e këqyrë ndoj ndeshje futbolli.

7. Falafel
Tingëll Tangëll
Test text

6. Asian Chicken
Home | Shihe në kahmeshku.com
Test text

5. Pizza Quattro Formaggi
Pizza Napoli
Për ata që s'i kanë punët mirë me italishten, nuk hanë shpesh pizza edhe nuk i pëlqejnë veturat Audi (a ka këso njerëzish?), Quattro Formaggi do me thanë "katër djathëna". Me siguri që e ke dijtë këtë gjë, po eh, po e tregoj për çdo rast. Unë, si adhurues i gati të gjitha llojeve të djathënave edhe adhurues i pizzave që piqen në furra druni, jam në gjendje katër ditë rradhazi me e hangër këtë kombinim të gorgonzola, emental, parmezan edhe mozarella, në brumin e njanës prej pizzerive ma të mira në qytet. Brumë i hollë ky, që të le shenja të miellit nëpër gishta, djathi në masë të mjaftueshme, që zgjatet si llastëk me çdo kafshore, mmmmmm... "Mamma mia", kish me thënë ushtari i KFOR-it italian (Bersaglieri) me kapelë me pupla fëllanze, i stacionum në Dukagjin diku, e që e ka marrë malli për mëmëdhe.

€5.00


Pizza Napoli bën edhe delivery, për ata që nuk e dijnë - 044 785 411.

4. Piri Piri Chicken
Te Komiteti | Shihe në kahmeshku.com
Piri Piri është lloj salce me prejardhje prej nji speci djegës në Afrikë, me emën portugez prej Mozambikut (ka variante edhe me emnat pili pili ose peri peri). Edhepse s'jam fort adhurues i ushqimeve shumë djegëse, këta e vendosin salcën anash edhe mundesh me e ngjy sa të duash. Në pjatë të vjen nji gjysëm pule e pjekun mirë në furrë, edhe pure patatesh e pregatitun shkëlqyeshëm (jo prej atyne që i blen të gatshme, por prej patateve të vërteta), me tamam përmbajtje të gjalpës edhe qumështit që nuk ia jep teksturën as shumë të thatë me të mbetë në fyt, e as shumë të langët me të ikë pa e shiju. Ke me mbetë tuj i lëpi gishtat, se ndryshe kjo pulë nuk hahet.

€5.30


Kur kanë, zakonisht verës, Te Komiteti e servojnë çajin e ftohtë ma freskues në rajon, e ndoshta edhe Evropë, komplet produkt i shpisë.

3. Biftek me salcë piperi
Gresa | Shihe në kahmeshku.com
Çka më tërhjek me shku te Gresa ma së pari, janë ata simitat e vegjël edhe pjata me një salcë misterioze dhe shumë të shijshme, të cilën e ngjyen me shumë pasion deri sa e pret biftekun me të ardhë. E bifteku të vjen në një pjatë të madhe, me një copë të butë mishi që të shkrihet në gojë, e që është i mbuluem me salcë plot kokrra të trasha piperi të zi, edhe patate furre e perime në skarë anash. Përpos që ka shije që të vallëzon qyqek në gojë, si sasi të mbush gjithsesi deri në fund të ditës, e në raste edhe deri të nesërmen.

€7.60


Kamarierat qysh herën e dytë apo të tretë kur të shkojsh, kanë me ta mësue edhe emrin edhe ushqimin e preferuem, që ia jep krejt përjetimit edhe një dozë shtesë lezeti.

2. Chicken Korma
Mumtaz Mahal | Shihe në kahmeshku.com
Pak njerëz në Prishtinë dijnë për Mumtazin, restorantin ma të mirë indian në qytet (s'po them të vetmin, se mundet me pasë edhe tjerë për të cilët nuk di). Shumë prej prishtinalive s'e pëlqejnë këtë lloj ushqimi, sepse nuk e kanë provu. Plot ankohen në erën e randë të mëlmesave që i përdorin, që në fakt janë pikërisht ato që e bëjnë këtë ushqim fenomenal. Chicken Korma është një prej tyne, edhe për mu e bën të veçantë qumështi i kokosit që kombinohet me mëlmesat tjera, copëzat e pulës edhe jogurtin e kremën që i jepin formë të langët. Për me u kompletu kjo gjellë, duhet me u kombinu me oriz pilau (me ose pa perime) edhe bukë naan (me ose pa hudhër). Kujdes, mos harro me e cekë edhe sasinë se sa të djegëst po e do. Në Indi, "pak" domethanë "koxha" për mu, e shumë i djegëst më shndërron në drague edhe ma qet gojën mbas kreje.

€4.40


Emri Korma vjen nga gjuha persike, e që derivon prej foljes turke Kavurma, që domethanë "me pjekë në skarë".

1. Elbasan tavë
Tiffany's
Kur i tregova disa zhapinave të tjerë për drekën time ma të preferueme në Prishtinë, kish edhe asi që nuk u pajtun, xhelozat. Po hej, asnji zhapin s'është i njëjtë, pavarësisht që juve njerëzve mundemi me ju dukë të tillë. Po, boll për zhapinat, të kthehemi te ajo që e kemi të përbashkët me njerëzit - dashnia për ushqim të mirë.

Elbasan tavën e ndin hala pa të mbërri në tavolinë, sepse vjen në pjatë tave dheu tepër të nxehtë, duke i gurgullue kosi i vluem që dëgjohet prej së paku 3 metrave distancë.

E pregatitun ma mirë se çdo Elbasan tavë tjetër që e kam provu ndojherë në rajon, përfshi edhe ato të shpisë, kjo e ka vetëm një mangësi: nuk të pritet deri të ftohet, edhe pa u djegë pak në dy kafshoret e para rrallëherë shpëton. Veç, kur nis me e shiju kosin me mëlmesa edhe mishin e butë të viçit të copëtum tamam për çdo kafshore, ndodh edhe seksin nganjiherë me e harrue që ekziston. Po e pate edhe nji sallatë me copa djathi atypari, rrezik që ke me e ba të dashurin/ën fort xheloz/e. Ahhh, he jetë o jetë.

€6.40


Tiffany's njihet për gjellat tradicionale, kështu që nëse shkoni disa veta, më së miri është me i marrë disa ushqime të ndryshme, e me i kombinu nga pak. Kombinimi ma perfekt: Elbasan tavë, sarme me fletë rrushi, mantija me kos, mish në shkop, mish qingji me patate furre. Supat edhe sallatat veç e bëjnë edhe më eksplozive.

Me e përmbyllë...
Edhe nëse nuk pajtohesh me përzgjedhjen time krejtësisht, jam koxha i sigurt se në këto momente po të dridhen duart edhe po të shkojnë jargët për goje. Po, e di, se edhe vetë e kam zgjedhë momentin më të keq me shkru për tanë këtë ushqim - në mes të natës.

Na zhapinat mundemi me u dukë ma të qëndrueshëm, e edhe jemi, por ushqimin e kemi pikë të dobët, sikur ju njerëzit. Ika me i zie dy voe.
 
[Shkrimet në këtë blog nuk përputhen doemosdoshmërisht me parimet e Ogilvy | Karrota, por paraqesin vetëm pikëvështrimet e autorit]
 
Rekomendoja të tjerëve
 
Vlerësoje këtë postim